E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e prekur nga projekti TID përplasen me policinë gjatë protestës para bashkisë së Durrësit

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Banorët që preken nga projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID) u përplasën sot me policinë ndërsa protestuan përpara bashkisë së qytetit me kërkesën për transparencë dhe zgjidhje të qarta për strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre.

Qytetarët kërkuan që vendimmarrja për projektin të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantojë trajtim të drejtë për çdo familje të prekur.

Banorët janë përplasur me forcat e policisë dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të bashkisë, ku mbahej mbledhja e Këshillit Bashkiak ndërsa qëlluan edhe me vezë në drejtim të godinës.

Qytetarët e prekur kërkonin sqarim mbi një listë të afishuar online ku bëhet me dije shembja e disa pallateve me qëllim zgjerimin e rrugës në lagjen “Hajdar Demiri”.

Policia ka shoqëruar disa prej protestuesve në polici, pavarësisht rezistencës së tyre.

Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.

Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit synon rigjenerimin urban të zonave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne, por procesi i zbatimit ka hasur në kundërshti dhe shqetësime nga komuniteti lokal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›