Banorët kundërshtojnë landfillin në Pobreg, projekt i hartuar që në 2017. Reagon Bashkia Kukës: Do jetë e standardeve evropiane

Banorët e fshatit Pobreg, në njësinë administrative Tërthorë, janë mbledhur sot për të kundërshtuar projektin e ndërtimit të një landfilli në zonën e tyre. Ata shprehen se ky investim do të ketë pasoja për shëndetin dhe mjedisin
“Ne e kundërshtojmë këtë si fshat, nuk është i mirë për shëndetin e banorëve. Dëmet e mëdha janë për shëndetin dhe nuk kemi terren për këtë pjesë, pasi terreni është shumë i vogël.”
“Është shumë i dëmshëm për komunitetin, i kemi njerëzit të sëmurë me astmë, nuk e durojnë dot tymin”, u shprehën disa nga banorët.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Albert Halilaj theksoi se projekti është konceptuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe do të ndërtohet me masa maksimale sigurie për të shmangur ndotjen.
“Është planifikuar në vite ndërtim i një impianti bashkëkohor sipas standardeve të BE për Pobreg me një vlerë 15 milionë euro dhe do menaxhohet nga një kompani franceze me përvojë në menaxhimin e mbetjeve urbane. Do të fillojë puna që në gjenezë me ndarjen e mbeturinave, riciklimin e tyre dhe nuk do ketë asnjë lloj ndotje. Do jetë një fabrikë e mirëfilltë për përpunimin e mbetjeve urbane”, u shpreh kryebashkiaku Halilaj.
Projekti është parashikuar që në vitin 2017, në bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian.
Gazetar: Dashamir Shehu
/rtsh.al/