Ditët Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, çelet në Korçë një ekspozitë e veçantë me libra dhe botime religjioze

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë hapi një ekspozitë të veçantë me libra dhe botime religjioze, pjesë e fondit muzeal. Për herë të parë, këto botime, dikur pjesë e kishave dhe katedraleve, u ekspozuan në hapësirat e muzeut.
Shumë prej këtyre botimeve janë dhurata të vyera për kishat apo edhe për muzeun, duke vënë në qendër njerëz përparimtarë, të cilët kontribuuan në pasurinë shpirtërore dhe kulturore të qytetit.
“Vepra më e vjetër është Ungjilli nga Kisha e Ristozit në Borje që i përket viti të 1737. Ndërkohë risi kemi edhe një Ungjill të dhuruar nga Anastas Lakçe si dhe një risi tjetër është edhe Dhiata e Re dhuruar nga familja e Ilia Petrograktos, të cilën e ka ruajtur për shumë vite në bodrumin e shtëpisë për shkak të diktaturës dhe ia dhuron Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar”, u shpreh Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.
“Rëndësia e parë është ajo shpirtërore dhe lidhja që kanë ato libra të shenjtë me besimtarin por edhe që ruhen dhe vijnë tani në kohë pasi janë të mira për arsyen se brezat tani njihen me të parët e tyre. Dhurimi brenda në kishë me lidhjen e tyre kishtare dhe me Perëndinë”, u shpreh At Vangjel Panolli, Klerik i Mitropolisë së Korçës.
Ekspozita e çelur në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, sjell në vëmendje jo vetëm trashëgiminë e shkruar religjioze, por edhe historinë e dhuruesve dhe rolin e tyre në ruajtjen e identitetit kulturor të Korçës.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/