E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazojnë rivalët e kuqezinjve në Ligën e Kombeve

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Finlanda dhe Bjellorusia, rivalët e kombëtares shqiptare të futbollit në Grupin 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve, janë ndarë në barazim pa gola, në ndeshjen e dytë të grupit, të zhvilluar sot në Helsinki.

Sfida, e luajtur në stadiumin olimpik të kryeqytetit finlandez, nuk prodhoi asnjë gol, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave. Bjellorusisë iu anulua edhe një gol në pjesën e dytë, kur Aleksandr Selyava realizoi, por rrjeta nuk u konsiderua e vlefshme pas ndërhyrjes së sistemit VAR.

Finlanda e nisi këtë edicion të Ligës së Kombeve me një fitore të thellë 7-0 në transfertë ndaj San Marinos, ndërsa Bjellorusia u mposht 0-2 nga Shqipëria në ndeshjen e parë të grupit, të zhvilluar në Tiranë.

Pas barazimit të sotëm, Finlanda ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Bjellorusia merr pikën e parë. Në pritje të përfundimit të ndeshjes San Marino-Shqipëri, kuqezinjtë kanë mundësinë të shkëputen në krye të grupit. Një fitore ndaj San Marinos do t’i jepte Shqipërisë pikët e plota në dy ndeshjet e para dhe vendin e parë të vetëm në Grupin C1.

Shqipëria do të përballet me Finlandën në transfertë më 3 tetor, ndërsa takimi i kthimit mes Finlandës dhe Bjellorusisë është programuar për datën 6 tetor.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›