E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim për mediet u shpreh se në asnjë vend të Europës kryeministri nuk mbron korrupsionin.

Duke iu referuar reagimit të kryeministrit Edi Rama, të publikuar mëngjesin e së dielës mbi protestën e opozitës, ku ai theksoi se në asnjë vend të Europës dhuna nuk është pjesë e programit të një partie politike, Bardhi nënvizon se “askund në Europë, kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit”.

“Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe u përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët”, vijon reagimi.

Sipas Bardhit, “askund në Europë kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur”.

“Askund në Europë një kryeministër nuk paracakton tenderat. Askund në Europë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund në Europë kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë”.

“Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve… As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më. Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, përfundon Bardhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›