E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për “21 Janarin”: Njollë për drejtësinë shqiptare, SPAK-u të zgjohet

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se drejtësia për ngjarjet e 21 janarit nuk mund dhe nuk duhet të harrohet, duke e cilësuar atë si një krim shtetëror që mbetet një plagë e hapur për drejtësinë shqiptare.

Gjatë podkastit “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6”, Rama u shpreh se 15 vite pas vrasjes së katër protestuesve më 21 janar, hija e padrejtësisë vijon të rëndojë mbi shoqërinë dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

“Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 Janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë”, u shpreh Rama.

“Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 Janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar”, tha Kryeministri.

Ai theksoi se përkujtimi i katër Dëshmorëve të Atdheut u zhvillua edhe këtë vit në praninë e familjarëve të tyre, të cilët, sipas tij, vijojnë të presin vendosjen e drejtësisë.

“Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi”, u shpreh Rama.

Rama e cilësoi 21 janarin si një nga ato krime shtetërore për të cilat drejtësia mund të vonojë, por që nuk zhduken as nga kujtesa kolektive dhe as nga përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë.

Kryeministri nënvizoi se, “21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë”.

Në këtë kuadër, Kryeministri shprehu pritshmërinë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të veprojë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se kjo çështje përbën një njollë për drejtësinë shqiptare dhe se mosveprimi do të rëndonte edhe mbi vetë institucionin.

“Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK”, theksoi Rama.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›