E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Asnjë vendim gjykate nuk mund ta rishkruajë historinë, të barazojë viktimën me agresorin

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se sot është një ditë e rëndë për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, që dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në emër të PD-së, Bardhi shprehu solidaritetin e plotë me qytetarët e Kosovës, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe me të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës.

“Kosova është e lirë falë atyre që luftuan e dhanë jetën për lirinë. Ne jemi krenarë për ta! Historia është shkruar, ajo nuk mund të ndryshohet me vendime të padrejta. Kokën lart, shqiptarë”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, vendimet e shkallës së parë janë thellësisht të padrejta dhe të pamerituara.

“Gjykata rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimet e saj u mbështetën në përgjithësime dhe pretendime që prej vitesh përdoren nga propaganda e Beogradit kundër UÇK-së”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se asnjë vendim gjykate nuk mund ta rishkruajë historinë, të barazojë viktimën me agresorin apo të errësojë karakterin çlirimtar të luftës së popullit të Kosovës.

“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin përfaqësues dhe drejtues të UÇK-së. Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e popullsisë civile nga gjenocidi serb dhe në çlirimin e Kosovës. Është koha për unitet kombëtar, maturi dhe vetëpërmbajtje. Në asnjë rrethanë emocionet nuk duhet të cenojnë rendin, qetësinë dhe stabilitetin e Kosovës. Çdo akt dhune do të ishte i papranueshëm dhe në dëm të Kosovës”, shtoi ai.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›