E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë PD për Rregulloren e Kuvendit

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, rrëzoi njëzëri aktin e parë të legjislaturës së re të Kuvendit, duke konstatuar shkelje të rregullave të parlamentarizmit.

Në deklaratën e tij, Bardhi u shpreh se vendimi sanksionoi cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese, të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve, si dhe shkeljen e procedurave parlamentare për thirrjen e mbledhjes dhe miratimin e akteve.

Sipas tij, opozita ka ngritur prej kohësh shqetësimin për degradimin e funksionimit të Kuvendit, duke e akuzuar shumicën për imponim vendimesh pa debat të mirëfilltë dhe për shpërfillje të rregullave të bashkëjetesës mes forcave politike.

Bardhi rikujtoi se në vitin 2012, Komisioni Europian kushtëzoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë me ndryshime konsensuale në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa shtoi se aktualisht, sipas tij, bashkëpunimi parlamentar është zhbërë dhe dialogu është zëvendësuar nga imponimi i shumicës.

“Mazhoranca, ende pa u shpallur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deklaron hapur se do ta injorojë atë dhe do të miratojë sërish të njëjtin akt, pa asnjë diskutim”, theksoi Bardhi.

Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejë si një mesazh i qartë për respektimin e Kushtetutës dhe balancës institucionale, duke nënvizuar se opozita nuk do të jetë “fasadë për legjitimimin e praktikave antidemokratike”.

Në reagimin e tij, Bardhi ngriti shqetësime edhe për funksionimin e disa institucioneve të tjera kushtetuese, si Avokati i Popullit dhe votimet e fundit në Kuvend për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

“Opozita as ka qenë dhe as do të jetë fasadë për legjitimimin e praktikave antidemokratike, praktika që, për fat të keq, po shtrihen edhe në institucione të tjera kushtetuese, nga Avokati i Popullit deri te votimet e fundit të Parlamentit për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë”, shkroi Bardhi.

Sipas tij, ndërtimi i një Shqipërie europiane kërkon institucione të pavarura, respektim të rregullave dhe standardeve demokratike.

Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të Kuvendit, që lidhet me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe rritjen e numrit të komisioneve parlamentare.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Gjykata, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, vlerësoi se duhet të vendoset shfuqizimi i vendimit për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›