E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria depoziton pranë qeverisë së SHBA-së Instrumentin e Ratifikimit për pranimin në Kartën e Bordit të Paqes

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Shqipëria ka depozituar sot pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës origjinalin e Instrumentit të Ratifikimit të “Marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, njofton Ambasada e Shqipërisë në SHBA.

Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës, veprimi i sotëm formalizon përfundimisht angazhimin e Shqipërisë në këtë iniciativë të rëndësishme dhe thekson rolin aktiv të vendit në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Depozitimi i instrumentit të ratifikimit pranë Qeverisë së SHBA-së përmbyll procedurat kushtetuese dhe i jep fuqi të plotë juridike angazhimit të ndërmarrë. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të partneriteteve strategjike dhe kontributit aktiv në arkitekturën euroatlantike të sigurisë”, thekson njoftimi.

Ambasada shpreh gjithashtu krenarinë për miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë hap një moment domethënës në thellimin e rolit ndërkombëtar të vendit.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›