Bardhi: Marrëveshja me SHBA-të reagim i vonuar i qeverisë, të zbatohet Kushtetuta

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot në Kuvend se marrëveshja e huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh është e mirëpritur, por sipas tij përbën një reagim të vonuar të qeverisë.
Gjatë diskutimit të marrëveshjes në Kuvend, Bardhi tha se qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim një situatë që, sipas tij, duhej të ishte planifikuar më herët për të shmangur dëmtimin e besueshmërisë së Shqipërisë si aleat i NATO-s.
“Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim atë që në fakt duhet të kishte planifikuar prej kohësh për të kufizuar dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë si aleat i denjë i vendeve të NATO-s. Në këtë kontekst pa diskutim që marrëveshja 302 milion euro me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të blerë pajisje ushtarake, të cilën e ripohoj ne nuk e disponojmë akoma, nuk na është dhënë në dispozicion siç rregullat e funksionimit këtij parlamenti e diktojnë.”, theksoi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se “absolutisht që marrëveshja është e mirëpritur. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Absolutisht që është një reagim i vonuar i një qeverie të papërgjegjshme që nuk përmbushi detyrimet ndaj NATOS-s dhe lejoji që Shqipërisë t’i vihet në pikëpyetje edhe vetë anëtarësimi i saj në NATO”.
Sipas tij, siguria kombëtare nuk ndërtohet me propagandë dhe as reagime të vonuara nën presion.
“Shqipëria ka nevojë për një qeveri që përmbush angazhime ndaj NATOS-s me përgjegjësi dhe nuk e ekspozon vendin si një aleat jo serioz dhe jo të besueshëm”, tha ai.
Duke iu drejtuar Peleshit, Bardhi tha se “ju do të duhet të kishit informuar Kuvendin jo vetëm mbi kërkesën e ardhur nga Këshilli i Ministrave apo qëndrimin e grupit parlamentar që kjo marrëveshje pa u lexuar të votohet brenda ditët sotme, por dhe për një qëndrim të cilin ta kam shprehur në emër të opozitës gjatë fundjavës mbi procedurën që ky kuvend duhet të ndjekë”.
“Po ne jemi pro marrëveshjet që rrit investimet në fushën sigurisë. Po ne jemi pro marrëveshjes që përmbush detyrimet e Shqipërisë ndaj vendeve të NATO-s. Po ne do ta votonim pro marrëveshjen me aleatin tonë strategjik duke e falënderuar për mbështetjen që i bën Shqipërisë edhe pse është hua dhe Shqipëria ka patur të gjitha mundësitë që gjatë këtyre 14 viteve ta përmbushte vetë këtë detyrim, po ju në vend të NATO-s dhe partneritetit me SHBA-në zgjodhët inceneratorët që nuk ekzistojnë”, nënvizoi Bardhi.
“Marrëveshja hyn në fuqi kur të dyja shtetet përfundojnë procedurat e veta të brendshme të ratifikimit, nuk ka asnjë urgjencë përsa kohë që SHBA nuk e kanë përfunduar procedurën e tyre të brendshme sepse ata ndryshe nga ju nuk e shkelin Kushtetutën po do ta zbatojnë Kushtetutën e vendit të tyre dhe ne këtë po kërkojmë të ndjekim të njëjtin standard të respektojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ndryshe vonesa do të jetë shumë herë më e madhe”, tha Bardhi.
/k.s/a.f/