Bardhi: Nëse vendi nuk kalon testin e luftës kundër korrupsionit, nuk ka shanse në procesin e integrimit

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike duke folur në një intervistë televizive mbrëmjen e sotme lidhur me rrëzimin në Kuvend të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, u shpreh se nëse Shqipëria “nuk kalon testin e luftës kundër korrupsionit, nuk ka shanse në procesin e integrimit.
Sipas Bardhit, gjermanët nuk kanë gjë personale me Shqipërinë, por kërkojnë që të arrijë standardet e BE-së dhe të bëhet anëtare me meritë e BE-së.
“Ne do të duhet përmes qeverisjes këtu të sjellim ato standarde të BE. Nuk ndodh kurrë në BE, nuk shkon çështja deri në parlament, sepse një zyrtar që akuzohet për një krim kaq të rëndë, ikën vet sapo i ngrihet kjo akuzë. Ky është standardi evropian që ka çdo shtet i BE-së. Ne duam të ikim në BE, me standardet e Afrikës”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se si thotë dhe Komisioni i Venecias, ka imunitet parlamentari në Gjermani, por nuk është zbatuar asnjëherë, sepse standardi i etikës në këto vende është të japin dorëheqjen.
“Nuk ka prova thanë ndërkohë që vet kanë deklaruar publikisht se këta nuk i kanë tërhequr provat”, iu referua Bardhi argumenteve të mazhorancës.
Deputeti demokrat theksoi se “sot parlamenti ka marrë kompetencat e gjyqësorit, ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve”.
Ai u ndal edhe tek masa e paraburgimit duke u shprehur se paraburgimi nuk është institut që njihet vetëm në Shqipëri, njihet në të gjithë botën.
“Dhe paraburgimi është për ata që janë për raste minore vjedhjesh. Sot në paraburgim, ka punonjës policie, doganash, tatimesh, që janë në burg se kanë marrë korrupsion 20 mijë lekë të vjetra”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.
/m.q/j.p/