Bardhi: OSBE-ODIHR certifikoi 11 majin si farsë

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se, raporti final i OSBE-ODIHR-it fakton se zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin një farsë e plotë elektorale.
“Raporti final i OSBE-ODIHR-it fakton pa asnjë ekuivok se zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin një farsë e plotë elektorale”, shkroi Bardhi në një reagim në rrjetet sociale.
“Vëzhguesit ndërkombëtarë konfirmojnë se “partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimit institucional, duke e zhdukur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë””, u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se, “u vunë re akuza për ushtrimin e presionit ndaj punonjësve publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorimi i rrjeteve të patronazhimit, gjë që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare”.
“Çështje të tjera shqetësuese përfshinin raportime për blerje votash, përpjekje për të ndikuar padrejtësisht te votuesit vulnerabël dhe ndikimin e elementëve kriminalë në zgjedhje në disa zona të vendit”, shtoi Bardhi.
Bardhi nënvizoi se, zgjedhjet e lira dhe të barabarta janë burimi i legjitimitetit demokratik të parlamentit dhe qeverisë.
“Raporti final i OSBE-ODIHR-it provon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të barabarta, e për rrjedhojë ato nuk kishin si të prodhonin institucione legjitime”, u shpreh ai.
“Asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një parlament dhe qeveri jolegjitime, prandaj është detyrë jonë tashmë, e Partisë Demokratike, e opozitës, e shoqërisë civile, medias së lirë, qytetarëve të ndershëm që të bëjmë çdo përpjekje, çdo sakrificë, çdo betejë për largimin një orë e më parë të qeverisë më ilegjitime në 30 vite dhe bëjmë të mundur rotacionin politik përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, theksoi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
/gj.m/r.e/a.f/