Seanca e ardhshme parlamentare, PD kërkesë Peleshit: Respektoni kohën tonë të fjalimit, shmangni çdo provokim ndaj opozitës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një kërkesë Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi lidhur me seancën e ardhshme parlamentare që do të zhvillohet më 27 tetor 2025.
Në shkresën e tij, Bardhi konfirmon se grupi parlamentar i PD do të marrë pjesë në debatet parlamentare mbi raportimet e institucioneve të pavarura kushtetuese, duke kërkuar që të respektohet koha prej 150 minutash për secilin raportim, ashtu siç është rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve.
Bardhi i kërkon Peleshit të garantojë zhvillimin normal të debatit parlamentar dhe të mos lejojë, siç thekson ai, “akte provokative ndaj deputetëve të opozitës”.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PD, konfirmojmë kërkesën tonë për zhvillimin e debatit dhe gjithashtu kohën e caktuar nga ana juaj – 150 minuta pas çdo raportimi. Lutem gjithashtu të shmangni çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës, duke lejuar secilin e tyre të prezantojë pyetjet e tij, për secilin titullar institucionesh, sipas nenit 103, pika 7 e Rregullores dhe praktikës parlamentare 34 vjeçare. Çdo ndryshim i njëanshëm nga ana juaj i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34 vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizmit dhe asgjësim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës”, thuhet në kërkesën e Bardhit.
Ai paralajmëron se çdo ndryshim i njëanshëm në interpretimin e Rregullores apo kufizim i të drejtave të opozitës “përbën atentat ndaj parlamentarizmit dhe është i papranueshëm për deputetët e opozitës”.
Në përfundim, Bardhi i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit të “marrë masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe ndalimin e menjëhershëm të akteve provokative ndaj opozitës”, e cila, sipas tij, “ka treguar sjellje krejtësisht konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë.”
/rtsh.al/