E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Rama po përdor Këshillin e Ministrave si “avokat” për Belinda Ballukun

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke i akuzuar për “ndërhyrje të paprecedentë institucionale në mbrojtje të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.”

Reagimi i Bardhit vjen pas lëvizjes së Këshillit të Ministrave për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin ose pezullimin e masave të sigurisë ndaj Ballukut.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi këtë akt si një ngjarje që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar apo në ndonjë vend demokratik.

Bardhi theksoi se ndonëse çdo i pandehur ka të drejtën të ndjekë rrugët ligjore individualisht, përfshirja e qeverisë si institucion në një çështje penale personale është shkelje e rëndë.

“Nuk ndodh askund që një i pandehur të përdorë si Avokat, Kryeministrin apo Këshillin e Ministrave, për të kërkuar shfuqizimin e një vendimi gjyqësor individual për të,” shkruan Bardhi.

Sipas tij, investimi institucional i ekzekutivit për të goditur një masë sigurimi (shtrënguese apo ndaluese) ndaj një individi, është një akt i pastër i mbrojtjes politike nga drejtësia.

Numri dy i demokratëve e konsideron këtë lëvizje si një përpjekje për të “çimentuar kulturën e pandëshkueshmërisë”. Ai akuzon kryeministrin Rama se po tenton të vendosë qeverinë mbi ligjin dhe të ushtrojë presion të hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Kërkesa e Edi Ramës synon vetëm të japë mesazhin mafioz për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike,” nëvizoi Bardhi.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Bardhi i bëri thirrje organeve të drejtësisë dhe specifikisht Gjykatës Kushtetuese që të mos bien pre e këtij presioni politik. Ai e cilësoi këtë moment si një sprovë vendimtare për të vërtetuar se pushteti gjyqësor nuk varet nga statusi i posaçëm që ekzekutivi u jep zyrtarëve të lartë.

“Ky është një moment i rëndësishëm për të provuar se kushdo është i barabartë përpara ligjit,” përfundoi Bardhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›