Bardhi: Raporti i DASH, “aktakuzë realiste” për ekonominë e kriminalizuar

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi tw dielwn pas publikimit të raportit të vitit 2025 mbi klimën e investimeve në Shqipëri nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), duke e cilësuar atë si një konfirmim të plotë të denoncimeve të opozitës.
Bardhi deklaroi se raporti i DASH është “një aktakuzë realiste mbi gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare” dhe provon “denoncimet me fakte të opozitës shqiptare për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës.”
Në thelb të reagimit të tij, Bardhi nxori në pah gjetjet kryesore të raportit amerikan që, sipas tij, lidhen me ndikimin negativ të të ardhurave të paligjshme.
“Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg,” theksoi ai.
Sipas Bardhit, ky konstatim është faktori kyç që mban larg investitorët seriozë. Ai citoi drejtpërdrejt shqetësimet e investitorëve të huaj: “Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria.”
Një tjetër pikë kritike e ngritur nga kreu i grupit PD ishte dështimi i ligjit për Investimet Strategjike.
Bardhi nënvizoi se ligji, i miratuar në vitin 2015 për të nxitur investimet e huaja në sektorët strategjikë, “nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta.” Ai shtoi se shumica e mbi 60 projekteve të miratuara “fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas.”
/rtsh.al/