E Hënë, 2 Nëntor 2026

Roli dhe detyrat e reja, qeveria miraton fushën e përgjegjësisë së Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator

Këshilli i Ministrave, ka miratuar zyrtarisht misionin dhe fushën e detyrave të Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, duke theksuar rolin e tij thelbësor në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky vendim shfuqizon VKM-në e mëparshme të vitit 2022.

Vendimi, i cili ka hyrë zyrtarisht edhe në fuqi, konsolidon rolin e Kryenegociatorit si drejtuesi ekzekutiv i anëtarësimit në BE, duke e shndërruar në pikën kyçe të koordinimit ndërinstitucional për çdo hap drejt Bashkimit Evropian, shkruan rtsh.al.

Sipas pikës 2 të vendimit, misioni i ministrit është drejtimi teknik i negociatave dhe bashkërendimi i brendshëm i të gjithë procesit të anëtarësimit. Ky përfshin:

Zhvillimin e procesit teknik

Kryenegociatori drejton negociatat teknike për të gjithë grup-kapitujt (clusters) dhe kapitujt negociues.

Plotësimi i Kushteve

Koordinimi i ministrive të linjës dhe institucioneve të tjera për plotësimin e kushteve dhe kritereve për mbylljen e negociatave.

Integrimi i përshpejtuar

Nxitja e nismave për integrimin e përshpejtuar (gradual), me fokus në Tregun e Përbashkët të BE-së.

Legjislacioni dhe politikat

Bashkërendimi i përafrimit të legjislacionit dhe hartimi/propozimi i politikave, prioriteteve dhe kuadrit strategjik në lidhje me anëtarësimin.

Informimi dhe konsultimi

Informimi i publikut, si dhe bashkërendimi i konsultimeve me biznesin dhe grupet e interesit.

Vendimi specifikon edhe detyrat kryesore nën përgjegjësinë e ministrit:

Bashkërendimi i brendshëm

Koordinon të gjitha përgatitjet e brendshme dhe punën e Grupit Negociator.

Planet dhe reformat

Bashkërendon hartimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe agjendën e reformave në të gjithë sektorët.

Zbatimi i rekomandimeve

Ndjek dhe bashkërendon zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian.

Ngritja e kapaciteteve

Nxit dhe mbështet ngritjen e mekanizmave, platformave dhe zhvillimin e kapaciteteve për negociatat.

Ministri i Integrimit, drejtuesi i agjendës kombëtare të reformave

Një nga pikat më me peshë në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë së Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator është roli i tij si bashkërendues qendror i të gjithë agjendës së reformave në vend.

Kjo detyrë, e cila deri dje e bëntë të ishte thjesht menaxhues i bisedimeve me Brukselin, e pozicionon ministrin si motorin që siguron që angazhimet politike të përkthehen në veprim.

Çfarë nënkupton “bashkërendimi i hartimit dhe zbatimit”?

Fraza në vendimin e qeverisë: “Bashkërendon hartimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe agjendën e reformave në të gjithë sektorët” është thelbësore për dy arsye:

Së pari ministri siguron që të gjitha institucionet (ministritë e linjës, agjencitë) të kontribuojnë në hartimin e Planit Kombëtar. Ky Plan është harta strategjike e Shqipërisë, duke përcaktuar me detaje ligjet, rregulloret dhe afatet kohore që duhet të miratohen për të përmbushur Acquis Communautaire (legjislacionin e BE-së) në të 35 kapitujt. Roli i Kryenegociatorit këtu është të garantojë koherencën dhe prioritetizimin e drejtë të këtyre masave.

Së dyti, pasi planet janë hartuar, sfida më e madhe është zbatimi i tyre. Detyra e ministrit është të monitorojë dhe të kërkojë llogari nga ministritë e linjës për ecurinë e tyre. Kjo siguron që reformat, qoftë në drejtësi, qeverisje të mirë apo ambient, të ecin sipas afateve.

Në thelb, ky detaj i jep Kryenegociatorit autoritetin e nevojshëm për të vepruar si ‘mbikëqyrës i reformave’ brenda administratës, duke siguruar që synimi i anëtarësimit në BE të mbetet prioritet absolut për të gjithë sektorët qeveritarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›