E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: SPAK paraqiti prova në Këshillin e Mandateve për kërkesën ndaj Ballukut

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në një intervistë televizive se në mbledhjen e zhvilluar sot nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin janë paraqitur prova nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, prokurorët e SPAK kanë paraqitur materiale hetimore, përfshirë përgjime telefonike dhe komunikime të transkriptuara, të cilat, sipas tij, lidhen me pretendime për intimidim të dëshmitarëve dhe bashkëpandehurve në kuadër të hetimit ndaj Ballukut, e cila është e pezulluar nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ai u shpreh se, sipas prezantimit të prokurorëve, dyshohet për përdorimin e ndërmjetësve të cilësuar si “persona të fortë”, si dhe për përfshirjen e zyrtarëve të kabinetit të ministres në komunikime që, sipas akuzës, synonin ndikimin mbi dëshmitë.

Bardhi shtoi se për një pjesë të çështjes, prokurorët kanë theksuar se hetimet vijojnë dhe mbulohen nga sekreti hetimor, ndaj nuk janë dhënë detaje të mëtejshme.

Në deklaratën e tij, Bardhi vlerësoi si profesionale paraqitjen e përfaqësuesve të SPAK-ut në mbledhjen e Këshillit, duke theksuar se ata i kanë qëndruar argumenteve ligjore dhe provave të paraqitura, pa hyrë në debat politik.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›