NJU JORK – Guterres: Lufta në Ukrainë një njollë në vetëdijen tonë kolektive

NJU JORK, 23 shkurt /ATSH-DPA/ – Lufta në Ukrainë është një njollë në vetëdijen tonë kolektive, tha sot sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në prag të përvjetorit të katërt të pushtimit të Rusisë.
“Kjo luftë shkatërruese është një njollë në vetëdijen tonë kolektive dhe mbetet një kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Guterres në një deklaratë.
“Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më vdekjeprurëse bëhet”, vazhdoi ai.
“Civilët mbajnë peshën kryesore të këtij konflikti, me vitin 2025 që dëshmon numrin më të madh të civilëve të vrarë në Ukrainë. Kjo është thjesht e papranueshme”, tha Guterres.
Guterres përsëriti më tej thirrjen e tij për “një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte si një hap i parë drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.
“Që paqja të jetë e drejtë, ajo duhet të jetë në përputhje me Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar, rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara, duke respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shtoi ai.
“Kombet e Bashkuara mbeten të gatshme të kontribuojnë në të gjitha përpjekjet drejt këtij qëllimi”, theksoi Guterres.
Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Të dyja palët kanë zhvilluar bisedime paqeje në javët e fundit me ndërmjetësimin e SHBA-së, por ka pasur pak shenja të një përparimi të afërt./ a.jor.