Bardhi: Vendimi i PS për Ballukun pengesë për drejtësinë dhe rrugën drejt BE

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim në rrjetet sociale, deklaroi se vendimi i marrë nga Partia Socialiste për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, konfirmon se Kryeministri Edi Rama po shndërrohet në pengesë për drejtësinë, duke penguar sipas tij edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Bardhi, duke iu referuar raportit të Partisë Socialiste që rrëzon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetes Balluku, nga pezullimi për dalje jashtë vendit në “arrest në shtëpi” ose “arrest me burg”, tha se ky vendim cenon edhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropianë, ku sundimi i ligjit është kryefjalë.
“Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!”
Bardhi gjithashtu u shpreh se SPAK ka paraqitur prova për 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave.
“Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.”
Ai theksoi se kjo nuk është thjesht një çështje e brendshme politike, por një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Evropian.
“Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian. Me qëndrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit) dhe kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut. Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala i mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.”
/a.f/