Bardhi në Strasburg: Taskforca për krimet zgjedhore, tentativë në letër

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi u shpreh sot, se ngritja e taskforcës për hetimin e krimeve zgjedhore disa muaj përpara 11 majit, mbeti thjesht një tentativë në letër, pa asnjë rezultat.
Në diskutimin e zhvilluar në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizimit dhe Asociimit, BE-Shqipëri në Strasburg, Bardhi tha se taskforca e ngritur mes tre institucioneve SPAK-Prokurori e Përgjithshme-KQZ, bëri një ndarje të detyrave dhe punëve, duke ndërtuar një strategji të përbashkët për të luftuar krimet zgjedhore.
“Fakt është që veprimet në terren u ndalën pas 20 shkurtit. Nga ai moment e deri në përfundim të zgjedhjeve rezultoi që jo vetëm prokurorët dhe hetuesit nuk u panë më në terren për të monitoruar krimet zgjedhore, por nuk pati asnjë rezultat për të parandaluar krimet zgjedhore deri ditën e zgjedhjeve”, tha Bardhi.
Deputeti i PD-së u shpreh se aktualisht mund të ketë çështje nën hetim apo procedime të regjistruara, por e njëjta sjellje ka ndodhur edhe në 2021.
“Nëse rezultatet e këtyre hetimeve i marrim në 2030-ën, kjo nuk ndihmon as në ndëshkimin e krimeve zgjedhore, por as në parandalimin e krimeve zgjedhore. Pyetja ime është që në rrugën që ka Shqipëria përpara në procesin e integrimit, është e rëndësishme të kemi rezultate apo të kemi projekte në letër? Sepse dëshira e tre institucioneve që ngritën taskforcën ishte një tentativë që mbeti në letër, në realitet ka zero rezultate”, pohoi Bardhi. /e.i/j.p/