PL: Reforma në drejtësi ka dështuar për sa kohë nuk përmirëson jetën e qytetarëve

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho deklaroi sot se “raporti i Komisionit Europian analizon në detaje ecurinë e reformës në drejtësi, por anashkalon një element shumë të rëndësishëm: ndikimin e kësaj reforme te qytetarët”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin sociale Facebook, deputetja e PL-së theksoi se “raporti nuk thotë asgjë për aksesin e qytetarëve në drejtësi, nëse ajo e ka arritur apo jo qëllimin për të cilin u krijua”.
Sipas Xhixhos, “e vërteta është se qytetarët shqiptarë nuk kanë akses në drejtësi, kjo si pasojë e hartës së re gjyqësore që uli numrin e gjykatave në vend, rriti stokun e dosjeve dhe shtoi mungesën e gjyqtarëve”.
Xhixho nënvizoi më tej se “në të gjithë vendin janë mbi 150 mijë dosje në pritje të shqyrtimit”, ndërsa shtoi se “rreth një e treta e popullsisë preket direkt nga ky ngërç i sistemit”.
“Për një çështje duhet katërfishi i kohës që kërkohej para implementimit të reformës në drejtësi. Për të kaluar të tri shkallët e gjyqësorit, një çështjeje i duhen 12 -15 vjet. Nëse çështja kthehet për rigjykim, pritja për drejtësi trashëgohet te brezi tjetër. Qytetarët ndërrojnë jetë në pritje të një drejtësie që nuk vjen kurrë”, theksoi Xhixho.
Deputetja shkruan se “reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor: drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, drejtësi cilësore dhe e shpejtë për qytetarët”.
“Janë qytetarët shqiptarë ata që duhej të ishin përfituesit direkte të reformës në drejtësi. Për sa kohë, drejtësia e re nuk përmirëson jetën e tyre, ajo është e dështuar”, e përmbyll reagimin Xhixho.
/m.q//a.f/r.e/