Basha: Lufta kundër korrupsionit, element kyç për zhvillimin ekonomik të vendit

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, bashkë me kandidatin për deputet Abaz Tafa, zhvilluan sot një takim me banorë të Zall-Bastarit dhe më pas në një punishte hekuri në zonën e Farkës në Tiranë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Duke folur me banorët e Zall-Bastarit, Basha tha se kjo qeveri i ka keqmenaxhuar të ardhurat, nuk i ka çuar për ulje taksash, uljen e çmimeve apo për rritje pagash dhe pensionesh.
Ai u shpreh se rruga e vetme për të kthyer paratë tek shqiptarët është mbështetja e plotë për SPAK.
Basha më tej ishte në një punishte hekuri në zonën e Farkës në Tiranë ku ka diskutuar me sipërmarrësit rreth problematikave që përballen bizneset sot dhe zgjidhjeve që ofron programi i Koalicionit Euroatlantik.
Basha tha se politikat e qeverisë në 12 vite nuk janë bërë për të mbështetur ekonominë. Ai tha se programi i Koalicionit Euroatlantik do të ofrojë një sistem më të drejtë dhe mbështetje për bizneset e vogla, me taksën e sheshtë 9% dhe bizneset e vogla jo më shumë se 1% e xhiros vjetore. Sipas tij, një tjetër masë do të jetë reduktimi i inspektorëve dhe çdo gjë do të bëhet në bazë të analizës të riskut.
Basha gjithashtu theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, si element kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Që ta ndalim këtë duhet të trajtohet biznesi në mënyrë të drejtë, se e ke në krah biznesin. Biznesi të punëson njerëzit, biznesi të ndihmon në rritjen e konsumit, në rritjen e fuqisë blerëse, biznesi të mbush edhe arkën publike. Po ta shpenzosh për publikun, jo për veten tënde. Nuk ka program të eci përpara pa goditur korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë”, u shpreh Basha.
Basha takim me banorë të Zall Bastarit dhe sipërmarrës në Farkë 1 nga 6