E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku: Mandati i 4-t, për lidhjen infrastrukturore me rajonin

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Rruga e re e Vjosës është një investim i rëndësishëm infrastrukturor që lidh bregdetin shqiptar me rajonin juglindor të vendit, duke përmirësuar qasjen në zonat e thella malore dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me kryeministrin Edi Rama, inspektuan këtë rrugë.

Balluku bëri të ditur se mandati i katërt i Partisë Socialiste është për lidhjen infastrukturore të Shqipërisë me rajonin dhe më tej.

Në fjalën e saj, Balluku renditi disa prej projekte të rëndësishme në infrastrukturën e vendit.

Ajo informoi se në pak ditë do të jetë gati aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një projekt që siç theksoi Balluku, nisi pa projekt. Por, shtoi ajo, e çuam në drejtimin e duhur dhe tani është pak javë larg dorëzimit duke e bërë Korçën më pak larg nga Tirana.

Nga ana tjetër, ajo informoi se po vijon puna edhe për plotësimin e segmenteve të Korridorit 8, me ritëm të qëndrueshëm dhe optimal.

“Korridori 8 do të ketë edhe hekurudhën që e shoqëron që nis nga Tirana-Durr-s-Rrogozhin-Pogradec dhe parashikohet të bëhet edhe lidhja me Korçën për të vijuar deri në daljen në kufi me Greqinë e më tej, duke e bërë rajonin të ndërlidhur me distanca të shkurtra me disa lloje transportesh”, informoi Balluku.

Sipas saj, kjo i jep mundësinë ekonomisë shqiptare të jetë më pranë tregjeve europiane.

“Kemi zgjidhur emergjencën e infrastrukturës, kemi nisur të ndërtojmë infrastrukturën e së ardhmes që i përgjigjet nevojave të vendit për dekadat që vijnë. Mandatin e katërt do të kryejmë ndërtimin e infrastrukturës që mundëson ndërlidhjen rajonale”, deklaroi Balluku. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›