Basha: Programi ynë për turizmin parashikon taksa të ulëta, shkolla profesionale, heqje të pagesave në akset kombëtare

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka publikuar të martën përparësitë e programit të forcës politike që ai drejton për turizmin.
Nëpërmjet një video të publikuar në rrjetet sociale Basha theksoi se duke ndjekur modelet rajonale do të subvencionohen një pjesë e mirë e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, si dhe do të hapen 4 shkolla profesionale me fokus këtë sektor.
“Do të përmirësojmë rrjetet e brendshme të infrastrukturës kombëtare duke bërë të mundur ndërtimin dhe vënien në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian pa pagesë në fund të mandatit të parë qeverisës; heqim pagesën për çdo makinë në Rrugën e Kombit; bëjmë të mundur rehabilitimin e aksit rrugor Shkodër-Tropojë-Kukës-Dibër-Librazhd-Përrenjas-Pogradec-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër që njihet si unaza lindore kombëtare”, tha Basha.
Sipas tij, zhvillimi i infrastrukturës dhe platforma e PDE e taksave të ulëta, do të mundësojë që operatorët turistikë, të çlirohen nga kosto e lartë e infrastrukturës së dobët dhe nga taksat e larta të qeverisjes qendrore dhe lokale, si dhe të kenë një ofertë turistike konkurruese për rajonin dhe për turistët anembanë botës.
“Në këtë mënyrë, turizmi me të vërtetë do të kthehet në një prioritet kombëtar dhe një zhvillues të ekonomisë kombëtare për të gjithë shqiptarët”., deklaron Basha.
/rtsh.al/