E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta Vera Zheji, presidenti Begaj: Do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës

Është ndarë nga jeta zëri ikonik i Radio Tiranës, Vera Zheji. Vera Zheji ishte pinjolle e dinastisë kulturore Zheji, motra e gjuhëtarit e filozofit të madh Petro Zheji dhe shkrimtarit e studiuesit të njohur, Gjergj Zheji. Vera Zheji lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit. Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të saj dhe thotë se ajo do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës. Reagimi i plotë: Sot u nda nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës. Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë. Spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›