Basha përjashton 11 deputetë/ Shkak i largimeve, mbështetja e tyre për Sali Berishën

Lulzim Basha, i cili mban logon dhe vulën e Partisë Demokratike, ka përjashtuar 11 deputetë nga grupi parlamentar i PD. Mes deputetëve të përjashtuar janë Edi Paloka, Tomorr Alizoti, Bujar Leskaj, Isuf Çela etj.
Vendimi është marrë në kryesinë e PD ditën e hënë dhe është zyrtarizuar në parlament. Në një shkresë që mban firmën e Lulzim Bashës saktësohet se grupi parlamentar ka 24 deputetë nga 35 që ka aktualisht, duke përjashtuar 11 deputetët.
Në një sqarim për mediat, partia e drejtuar nga Lulzim Basha saktëson se këta deputetë janë përjashtuar në fillimin e vitit 2022, pasi i janë bashkuar Sali Berishës dhe sot është reflektuar ky vendim i marrë janarin e një viti më parë.
Por ky shpjegim ka disa momente të paqarta: e para një pjesë e këtyre deputetëve si Ina Zhupa e Kastriot Piroli në atë kohë ka qenë në krah të Bashës e nuk ka si të kenë qenë të përjashtuar, nga ana tjetër deputetët Asllan Dogjani e Ludovik Hasani e kanë marrë mandatin në prillin e këtij viti, pasi zunë në parlament vendet e Belind Këlliçit e Luçiano Boçit. Kështu që kryesia e PD nuk mund t’i përjashtonte ata që në vitin 2022.
Të gjithë këta deputetë të përjashtuar kanë të përbashkët se njohin Sali Berishën si kryetar të PD dhe Gazment Bardhin si kryetar grupi.
Me këtë lëvizje ulet mbështetja që Bardhi ka brenda grupit parlamentar, por ende Basha nuk gëzon shumicën, pasi nga 24 deputetë vetëm 7 e mbështesin atë.
Prej vitit 2021 në betejën kundër Sali Berishës, Lulzim Basha ka përjashtuar 19 deputetë të Partisë Demokratike.
Tashmë mbetet për tu parë nëse kryetarja e kuvendit do ta njohë Bashën si kryetar grupi e do t’ia pranojë përjashtimet apo do të vendosë në favor të Gazment Bardhit.