E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashari: ILDKPI verifikoi 177 kandidatë për sistemin e drejtësisë

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Inspektorja e përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI), Evgjeni Bashari, raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2025.

Ajo theksoi se institucioni ka marrë të gjitha masat e nevojshme për përmbushjen e plotë të shtatë rekomandimeve të Kuvendit të miratuara në rezolutën parlamentare.

Sipas Basharit, një nga prioritetet kryesore ka qenë përmirësimi i kuadrit ligjor për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2025 ILDKPI mori pjesë në grupet e punës të ngritura nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke kontribuar me ekspertizën institucionale në rishikimin e ligjit. Si rezultat, draftligji u përafrua me Direktivën e Bashkimit Europian, u miratua nga Kuvendi dhe tashmë ka hyrë në fuqi.

Bashari theksoi gjithashtu se janë verifikuar 177 kandidatë që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Ndërkohë, sipas saj në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore janë dërguar raportet e kontrollit të plotë dhe dokumentacioni administrativ për 19 subjekte deklaruese.

“Në lidhje me vijimin e proceseve të verifikimit të kandidatëve që shprehin interes për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë si dhe forcimin e bashkëpunimit me agjencinë e mbikëqyrjes policore në avancimin më tej të procesit të vlerësimit kalimtar të policisë së shtetit gjatë periudhës raportuese janë verifikuar në një kohë sa më të shkurtër 177 kandidatë për organet e sistemit të drejtësisë kryesisht kandidatë për Gjykatën Kushtetuese anëtarë në Gjykatën e Lartë drejtues Byrosë Kombëtare të Hetimit kandidat për magjistrat para shkollës së magjistraturës si dhe inspektor pranë zyrës së inspektoratit të lartë të drejtësisë. Ndërsa në koordinim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka dërguar prag institucioni raportet e kontrollit të plotë së bashku me dokumentacionin administruat gjatë procesit për 19 subjekte deklarues. Inspektorati i lartë në zbatim të rekomandimit ku kërkoi raportim mbi reflektimet dhe detyrat e lëna nga progres raporti ka vlerësuar me prioritet gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit Europian mbi veprimtarinë institucionale”, tha ajo.

Bashari nënvizoi se institucioni ka trajtuar me prioritet rekomandimet e Komisionit Europian, në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër janë ndërmarrë masa për përmbushjen e detyrimeve të grupkapitullit të parë “Themelorët”, me fokus në verifikimin efektiv të deklaratave të pasurisë dhe rritjen e transparencës.

“Në këtë kuadër aksesi në deklaratat e pasurisë është përmirësuar për më tej, ku në portalin e institucionit është publikuar një regjistër online për publikimin e deklaratave të interesave private që ofronte një menu interaktive për të përzgjedhur emrin, funksionin e zyrtarit dhe vitin e deklarimit”, tha Bashari.

Bashari bëri të ditur gjithashtu se ILDKPI ka hartuar Planin e Veprimit 2026-2027, i cili synon rritjen e efektivitetit të kontrolleve, forcimin e rolit të institucionit në parandalimin e korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve europiane.

“Ky plan, i hartuar në përputhje me standardet europiane dhe prioritetet e procesit të integrimit reflekton dhe kërkesat e Komisionit Europian për një sistem më efektiv, transparent, transparent dhe të besueshëm”, tha Bashari.

Sa i takon përmirësimit të sistemit të menaxhimit të të dhënave dhe statistikave mbi hetimet për korrupsionin, ajo tha se analizat statistikore janë realizuar këtë vit mbi bazën e indikatorëve pilotë të performancës të OECD-së.

“Në lidhje me rekomandim e kontributit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht në përmbushjen e angazhimeve të marra në strategji ndërsektoriale kundër korrupsionit dhe strategji ndërsektoriale të drejtësisë. Institucioni ka vijuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë si institucion lider në kapitullin 23 dhe me Ministrin e Shtetit për Administratën publike dhe antikorrupsionin”, tha Bashari.

Sipas Basharit, ILDKPI ka marrë gjithashtu masat e nevojshme për verifikimin në kohë të deklaratave të interesave private të kandidatëve për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të personelit administrativ të SPAK-ut.

“Për sa i përket rekomandimit për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional me strukturat e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit, në vijim të zbatimit të memorandumeve të bashkëpunimit të nënshkruar me agjencinë e inteligjencës financiare me SPAK, Ministrinë e Drejtësisë, KLSH-së, ka vijuar shkëmbimi i të dhënave të ndërsjellta dhe në kohë informacionit. Konkretisht, institucioni ka vijuar bashkëpunimin me agjencinë e inteligjencës financiare jo vetëm duke referuar raste prej kësaj agjencie, por edhe duke trajtuar me përparësi kërkesat e drejtuara prej saj”, tha ajo.

Në nivel ndërkombëtar, Bashari theksoi se institucioni vijon të kontribuojë në rrjetet e integritetit, të cilat shërbejnë si platforma për koordinim, shkëmbim praktikash dhe forcimin e bashkëpunimit.

Në përfundim, Bashari deklaroi se ILDKPI do të vazhdojë bashkëpunimin me Kuvendin, duke e konsideruar atë si një mekanizëm të rëndësishëm të mbikëqyrjes parlamentare, llogaridhënies dhe dialogut institucional, në funksion të rritjes së efektivitetit, transparencës dhe cilësisë së veprimtarisë së institucionit.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›