E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkëbisedim në Dobërdol për “Paketën e Maleve”, Byberi: 205 aplikime deri tani

TIRANË, 29 gusht /ATSH / Në një atmosferë të veçantë mes natyrës mahnitëse të bjeshkëve të Dobërdolit, Bashkia e Tropojës organizoi një takim të hapur me qytetarë dhe të interesuar për të aplikuar në nismën qeveritare “Paketa e Maleve”.

Ky bashkëbisedim synoi informimin e drejtpërdrejtë dhe inkurajimin e investimeve në zonat malore të Tropojës.

Kryetari i Bashkisë, Rexhë Byberi, u shpreh se interesi ka qenë i lartë, me rreth 205 aplikime të regjistruara deri më tani, shumica prej të cilëve janë qytetarë që jetojnë jashtë vendit, por duan të investojnë në pronat e tyre në atdhe.

“Deri tani kemi rreth 205 aplikues që kanë shprehur dëshirën për të investuar në pronat e tyre, në përputhje me ligjin e ri të qeverisë shqiptare. Shumica janë emigrantë, dhe kjo tregon se ‘Paketa e Maleve’ po zgjon besim dhe interes konkret. Bashkia e Tropojës është angazhuar të mbështesë këtë proces në çdo hap”, tha Byberi.

I pranishëm në takim ishte edhe deputeti i qarkut, Eduart Shalsi, i cili e vlerësoi nismën si një nga më premtueset për zhvillimin ekonomik të zonave malore:

“Kjo është një mundësi e artë për banorët dhe pronarët e këtyre zonave. ‘Paketa e Maleve’ do të kthejë Tropojën, dhe zona të tjera alpine, në destinacione të vërteta turistike që ndikojnë pozitivisht jo vetëm në ekonominë lokale, por edhe në atë kombëtare”, tha ai.

Aktualisht, “Paketa e Maleve” ndodhet në fazën e parë të implementimit, që përfshin shprehjen e interesit nga qytetarët dhe pronarët e tokave në zonat malore.

Nisma synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e turizmit, agroturizmit dhe investimeve të qëndrueshme në pronat private në male, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë nga qeveria. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›