TAJLANDË – Kryeministrja Shinawatra shkarkohet nga gjykata pas një viti në detyrë

BANGKOK, 29 gusht /ATSH–DPA/ – Kryeministrja tajlandeze, Paetongtarn Shinawatra është detyruar të largohet nga qeverisja e vendit vetëm një vit pasi mori detyrën.
Gjykata Kushtetuese vendosi që 39-vjeçarja, e cila ishte pezulluar në fillim të korrikut, shkeli parimet etike në një bisedë telefonike të publikuar dhe duhet të heqë dorë nga pozicioni i saj.
Vendimi i gjykatës u transmetua drejtpërdrejt sot në faqen e saj të internetit.
I gjithë kabineti duhet të japë dorëheqjen gjithashtu, megjithëse do të mbetet në detyrë derisa të formohet një qeveri e re.
Kryeministri i përkohshëm, Phumtham Wechayachai do të vazhdojë të mbikëqyrë punët e qeverisë derisa parlamenti të zgjedhë një kryetar të ri qeverie.
Mbetet e paqartë nëse kryeministri i ri do të vijë përsëri nga partia ”Pheu Thai” e Paetongtarn.
Çështja gjyqësore u përqendrua në një regjistrim audio të publikuar të një telefonate midis Paetongtarn, nga dinastia e fuqishme Shinawatra e Tajlandës, dhe ish-sundimtarit të Kamboxhias për një kohë të gjatë dhe presidentit aktual të Senatit, Hun Sen.
Në bisedë, e cila kishte të bënte me një konflikt kufitar që ziente dhe u përshkallëzua pak më vonë, ajo iu referua një oficeri të lartë ushtarak në rajonin kufitar si “kundërshtari” i saj dhe iu drejtua Hun Sen, i cili është i afërt me familjen e saj, si “xhaxha”.
Vërejtjet shkaktuan trazira në Tajlandë dhe shkaktuan protesta./ /Ad.Ab./