E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkëpunim me policinë greke, arrestohet 39-vjeçari me qëllim ekstradimi në Shqipëri

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët grekë u mundësua lokalizimi në Greqi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri i një shtetasi shqiptar. Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për sigurimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Policia ndaloi D. M. alias D. M., 39 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 9 shkurt 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Shtetasi D. M. akuzohet se më datë 4 shkurt 2025, në qytetin e Korçës, ka tentuar të vrasë shtetasin E. Sh., 40 vjeç, duke e goditur me mjet prerës (thikë). Interpol Tirana dhe Interpol Athina do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri. /m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›