Bashkëpunimi mes universiteteve, rreth 50 studentë korçarë kanë kryer studime jashtë vendit

Rreth 50 studentë të universitetit “Fan Noli” në Korçë kanë përfituar nga mobilitetet jashtë vendit duke kryer një pjesë të studimeve të tyre në universitetet evropiane me të cilët ekzistojnë bashkëpunime.
Brisilda Hoxhalli është një studente e vitit të tretë në programin bachelor gjuhë angleze. Ajo bashkë me 11 studentë të tjerë, ka kryer një semestër në një universitet të Bullgarisë duke përfituar jo vetëm njohuri por edhe miqësi të reja me bashkëmoshatarët e saj.
“Jetesa në një vend të huaj më bëri të jem më e pavarur, më e përgjegjshme dhe më e hapur ndaj ndryshimeve të reja”, u shpreh studentja.
Këto lëvizje të përkohshme të studentëve në universitetet jashtë vendit sjellin zgjerimin e horizontit akademik, njohjen me metodologji të reja, zhvillimin e aftësive ndërkulturore e gjuhësore.
“Universiteti i Korçës ofron mundësi mobiliteti në universitete evropiane si në Greqi, Itali, Belgjikë, Austri etj.“, tha Teodora Kita, Specialiste në sektorin e projekteve Universiteti “Fan Noli”, Korçë.
Aktualisht ka mjaft thirrje për mobilitete pasi janë hapur aplikimet për semestrin e dytë të vitit akademik, ndaj edhe studentët e interesuar mund të përfitojnë një përvojë ndryshe.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/