Bashkia Berat model i suksesshëm për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Në Berat u zhvillua ditën e sotme një takim me fokus në menaxhimin e mbetjeve dhe ndarjen e tyre në burim.
Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Ceca informoi se kjo bashki u përzgjodh për të prezantuar skemën e ndarjes së mbetjeve në burim, një projekt pilot që konsiderohet model i suksesshëm për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në Shqipëri.
Në vizitë morën pjesë përfaqësues të bashkive Lushnjë, Dibër dhe Memaliaj, të cilët zhvilluan diskutime teknike mbi organizimin dhe funksionimin e skemës së riciklimit në Berat. Ndërsa, kryebashkiaku i Beratit bëri me dije se gjatë tryezës u trajtuan sfidat e hasura në zbatimin e projektit, si edhe praktikat më të mira që kanë mundësuar suksesin e tij.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Adelina Farrici, si dhe drejtori i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali.
Pjesëmarrësit zhvilluan gjithashtu një vizitë në terren, ku u njohën nga afër me funksionimin e Qendrës së Riciklimit në Berat dhe ndoqën një demonstrim praktik të procesit të ndarjes së mbetjeve në burim në lagjen muzeale Goricë.
Ky takim shërbeu si një platformë shkëmbimi përvojash mes njësive të qeverisjes vendore, duke promovuar praktika të qëndrueshme dhe modele efektive për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në nivel vendor.
/e.i/r.e/