E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Lezhë apel qytetarëve për kujdes të shtuar ndaj rrezikut të zjarreve

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Për shkak të temperaturave të larta dhe rasteve të zjarreve të regjistruara ditët e fundit, bashkia e Lezhës apeloi qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë vatra zjarri.

Bashkia Lezhë u bëri thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, të mos djegin mbetje apo bimësi, si dhe të kenë vëmendje të veçantë në zonat pyjore, kullota dhe pranë banesave.

“Çdo rast i zjarrvënies së qëllimshme, apo çdo veprim i pakujdesshëm që sjell shkaktimin e zjarrit, do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore”, thuhet në njoftim.

Ky apel vjen pas zjarrit të vënë në malin e Shëngjinit pranë rrugës kryesore në lagjen “Sakë”, në Lezhë, mbrëmjen e së premtes, i cili u vu nën kontroll pas një operacioni që zgjati gjatë gjithë natës, teksa u shua të shtunën.

Në rast zjarri ose situatash të rrezikshme, qytetarët të njoftojnë menjëherë shërbimet e emergjencës, zjarrfikësen në numrin 128, policinë në numrin 129 dhe ambulancën në numrin 127.


/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›