E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia Lezhë mbyll dhe riparon argjinaturën e Vainit

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ekipet e Emergjencës të Bashkisë Lezhë dhe strukturat përgjegjëse kanë punuar gjithë natën dhe kanë bërë të mundur mbylljen e argjinaturës së Vainit për të minimizuar rrezikun ndaj banesave dhe tokave bujqësore.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ka qëndruar në krah të ekipeve deri në riparimin e  argjinaturës së ujërave të larta në segmentin Spiten-Tale.

“Ora 3 në mëngjes! E mbyllëm duke riparuar argjinaturën. Parandaluam agravimin e situatës në dëm të banorëve”, njoftoi Ndreu.

Kjo argjinaturë u dëmtua për herë të dytë brenda pak javësh për shkak të situatës së përkeqësuar të motit.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar sërish gjatë ditës lidhur me situatën tek argjinatura  e dëmtuar duke pohuar se është bërë një punë e jashtëzakonshme për parandalimin e rikthimit të situatës së përmbytjeve në përmasa të papërballueshme.

“Puna vazhdon përsëri dhe do jetë e pandërprerë, deri në izolimin e çdo pike ujë. Aty është një zonë në risk pasi argjinatura është rërë komplet dhe çarja krijon premisa rreziku, por ne jemi në këmbë për të mos e lënë situatën të dalë jashtë kontrollit”, nënvizoi ai.

Ndreu sqaron se Bashkia në këtë mes hyn si palë mbështetëse e interesave të banorëve, jo si autoritet që ka përgjegjësi e as detyrë të kryejë një punë të tillë. “Është Bordi i Kullimit që ka kompetencën mbi kanalin e ujërave të larta. Ata gjithashtu po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushtet e degradimit prej vitesh të argjinaturës nga poshtë”, deklaroi kryetari i bashkisë Lezhë.

Ai shtoi se Bashkia bashkë me Prefektin e Qarkut janë në krye të koordinimit të institucioneve qendrore dhe lokale, biznesit në mbështetje të banoreve.

“Nuk duhet të ketë askush asnjë dilemë se me apo pa përgjegjësinë direkte tonën, ne do jemi aty gjithmonë për t’u dalë në mbrojtje gjithkujt. Një falenderim i veçantë për disa heronj, banorë të Rrilës dhe Bregut të Lumit, Tale, që dhanë kontribut dhe ndenjën bashkë me ne deri në mëngjes, pa bërtitur e pa bërë bujë, por u angazhuan në punë”, ka deklaruar kryebashkiaku Ndreu.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›