E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis puna për ndërtimin e çerdhes nr. 5 në Elbasan

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, Rajoni 1, ka nisur puna për ndërtimin e plotë të çerdhes nr. 5, një projekt që vjen si pjesë e angazhimit të bashkisë Elbasan për zgjerimin dhe modernizimin e të gjithë rrjetit të çerdheve dhe kopshteve në qytet.

Ky investim synon t’u ofrojë çifteve dhe familjeve ambiente moderne, hapësira më funksionale dhe kushte të avancuara për kujdesin, rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Godina e re do të përfaqësojë një standard më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, duke krijuar mjedisin e duhur për mirëqenien e më të vegjëlve.

Ky projekt ishte një kërkesë e banorëve të kësaj lagjeje të madhe, e përcjellë përmes procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, i cili tashmë është bërë realitet.

Paralelisht me çerdhen, bashkia Elbasan ka nisur edhe rikonstruksionin e tri shkollave të rëndësishme të qytetit dhe zonave rurale, “Dhaskali Todri”, “Naim Frashëri” dhe shkolla e fshatit Shushicë.

Këto ndërhyrje synojnë të rrisin standardet e mësimdhënies, të përmirësojnë infrastrukturën e ambienteve mësimore dhe të garantojnë kushte dinjitoze për nxënësit.

Me hapjen e kësaj çerdheje, bashkia Elbasan synon të rrisë kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve për fëmijët e qytetit, duke vijuar politikat e saj të orientuara drejt familjes dhe komunitetit.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›