Bashkim Fino nderohet me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Kuçovës

Bashkia e Kuçovës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi, pas vdekjes”, ish-kryeministrin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe ish deputetin e kësaj bashkie Bashkim Fino.
Në një takim të posaçëm përfaqësuesve nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Kuçovës ju bashkuan kolegë të shumtë socialistë si dhe qytetarë të Kuçovës për të nderuar kujtimin e ish-kryeministrit.
Vajza e Bashkim Finos, Megi Fino mes falënderimeve dhe mirënjohjes për titullin e akorduar, tha se megjithëse babai i saj ishte rritur në kalldrëmet e Gjirokastrës, Kuçovën e mbante gjithmonë në zemër si shtëpinë e tij te dyte. Në këtë zonë Bashkim Fino punoi me pasion dhe përgjegjësi për tre mandate.
Zoti Fino erdhi në krye të qeverisë më 9 Mars 1997, në kulmin e trazirave sociale që shoqëruan rënien e skemave piramidale në Shqipëri, ku shumica e shqiptarëve kishin futur kursimet e jetës së tyre dhe i humbën.
Qeveria e kryesuar nga zoti Fino mori emrin Qeveria e Pajtimit Kombëtar. Ajo u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare.
Ish-kryeministri dhe një nga deputetët më të spikatur në radhët e Partisë Socialiste, Fino ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare, më 29 Mars 2021.
/ rtsh.al /