E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Kozeli, autor i dramës shqiptare nga kujtesa historike te shpirti njerëzor

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Bashkim Kozeli përfaqëson një nga figurat më të qëndrueshme dhe domethënëse të dramaturgjisë dhe mendimit krijues shqiptar.

Për kontributin e tij të vyer në letërsi dhe kulturë, ai është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” i Argjendtë, një nga dekoratat më të rëndësishme shtetërore në fushën e artit dhe krijimtarisë letrare.

Bashkim Kozeli lindi në vitin 1942, në Kolonjë të Korçës. Në vitet 1959–1961, ai ndoqi studimet për pilot në Rostov të ish‑Bashkimit Sovjetik, por për shkak të problemeve shëndetësore nuk mundi t’i përfundonte ato, duke u tërhequr nga aviacioni.

Pas kësaj, Kozeli zhvilloi një karrierë të pasur në fushën ushtarake dhe kulturore, duke shërbyer si pedagog në Shkollën e Aviacionit në Vlorë, si shef i Shtëpisë së Kulturës së Ushtarakëve në Vlorë dhe më pas si shef i Kulturës në Korpusin Ushtarak të Fierit.

Në fundin e viteve ’60, dramat e tij nisën të ngjiten në skenë: “Shokët” (1968) u shfaq në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës dhe, një vit më pas, në Teatrin Popullor, “Sinjali i kuq” vijoi jehonën fillimisht në Vlorë (1971) e më pas në skenën kombëtare (1973).

Vitet ’80 e gjetën Kozelin më të pjekur, më kërkues ndaj fatit njerëzor. “Lidhur si fishekë gjerdani” (1980), vënë në skenën e Teatrit “Petro Marko” nën regjinë e Pjetër Gjokës, mori jetë nga aktorë të mëdhenj si Kadri Roshi dhe Agim Shuke, duke u shndërruar në një dramë ku fjala dhe loja aktoriale u bënë një. Pas saj, “Troket historia” (1981) në Korçë dhe “Pyesni malet” (1982) në Gjirokastër, e çuan më tej dialogun mes dramës dhe kujtesës kolektive. Me “Buzëqeshjet e një mbrëmjeje” (1985), publiku vlonjat u përball me një tjetër anë të ndjeshme të autorit, ndërsa dekada më vonë “Si rruar qethur” (2007), në Teatrin “Bylis” të Fierit, dëshmoi se fjala e tij nuk i përkiste vetëm një kohe.

Kulmet e vonshme të këtij udhëtimi dramatik erdhën me historinë e kthyer në figurë të gjallë: “Ëndrra e Ismail Qemalit” (2012) në Teatrin Kombëtar dhe “Nënë Tereza kur ishte Gonxhe” (2016) në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku Kozeli i dha skenës jo vetëm personazhe, por shpirtra.

Pati edhe disa drama të cilat mbetën të heshtura, për shkak se u ndaluan me urdhër të autoriteteve të kohës.

Pas ndërprerjes së krijimtarisë, e shkaktuar nga burgosja e vëllait dhe pasojat biografike që pasuan, Bashkimi u largua nga jeta artistike dhe u dërgua në një repart kundërajror, shumë larg qytetit të Vlorës dhe teatrit, në një hapësirë ku fjala nuk kishte tribunë dhe krijimtaria mbahej në heshtje.

Bashkim Kozeli nuk krijoi vetëm për skenën. Ai shkroi: “Në emër të lirisë” – 1987, film artistik, regjia nga Fehmi Hoshafi; “Pas takimit të fundit” – 1989, bashkëpunim me Fehmi Hoshafin; “Dhimbja e dashurisë” – 2008, serial televiziv 10 episode, regjia nga Ylli Pepo;  “Pleqtë e hashashit” – 2010, film, regjia nga Juli Xhokaxhi, etj.

Në vitet 1992–2001, u emërua Drejtor i Drejtorisë së Kulturës e Shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke kontribuar në zhvillimin e artit dhe kulturës në institucionet ushtarake dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare.

Në vlerësim të rolit dhe ndikimit të tij në jetën kulturore të jugut të vendit, dramaturgut Bashkim Kozelit i është akorduar nga Këshilli i Qarkut të Vlorës edhe titulli “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”.

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›