Seancë dëgjimore me kandidatë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat zhvilloi sot seancë dëgjimore me nëntë kandidatë të vetofruar për plotësimin e tre vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në seancën e sotme u prezantuan kandidatët: Adela Karapici, Arben Zibri, Aleksandër Çavo, Eni Xheko, Frosela Filo, Erjona Bejleri, Fatmira Kola, Emis Çerava dhe Matilda Shehu.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka shpallur tre vende vakante, për të cilat kanë shprehur interes gjithsej 19 kandidatë.
Në garë janë gjithashtu edhe tre anëtarët aktualë, të cilëve u ka përfunduar mandati: Luljeta Minxhozi, Violeta Staka dhe Artan Hoxha.
Ndër kandidatët që kanë shprehur interes për këto pozicione përfshihen ish-zëvendësministrja e Financave Erjona Bejleri, profesori Selami Xhepa, si dhe Frosela Filo, Fatmira Kola, Ingrid Konomi, Merita Bejtja, Emis Çerava, Adela Karapici, Matilda Shehu, Arben Zibri, Eni Xheko, Pajtim Melani, Sajmir Murataj, Liljana Mamadhaj, Elton Korbi, Aleksandër Çavo dhe ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pesë prej anëtarëve propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës.
Ligji përcakton se kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmëri dhe integritet moral, të kenë arsim të lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në fushën financiare dhe bankare, si dhe kualifikime të përshtatshme profesionale. Po ashtu, kërkohet përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.
Sipas legjislacionit në fuqi, funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me ushtrimin e funksionit të punonjësit, administratorit apo aksionarit me pjesëmarrje ndikuese në bankat e nivelit të dytë apo në subjektet e licensuara nga Banka e Shqipërisë.
Komisioni për Ekonominë, seancë dëgjimore me nëntë kandidatë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës... 1 nga 7/a.f/r.e/