Beci: Buna e Drini në parametrat e sigurisë, 266 ha të përmbytur në Shkodër

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa problematika të evidentuara.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri të ditur sot se nga monitorimi periodik në terren nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara dhe brenda parametrave të sigurisë.
Por gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rritje të niveleve të lumenjve me rreth 10-20 cm krahasuar me një ditë më parë.
Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit është 8.30 m, ndërsa në Urën e Bahçallëkut lumi Drin paraqitet në kuotën 8.05 m. Në njësinë administrative Dajç niveli i ujit është 6.48 m.
Sipas Becit, sipërfaqja totale e përmbytur në bashkinë Shkodër është 266 hektarë. Nuk ka asnjë banesë të përmbytur dhe me prezencë uji në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër.
Ndërsa në njësinë administrative Ana e Malit vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta. Beci theksoi se rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 50 cm.
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 130 hektarë, kryesisht në fshatrat Obot dhe Muriqan.
Në njësinë administrative Dajç sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur vlerësohet në 35 hektarë, kryesisht në Pentar.
Ndërsa në njësinë administrative Velipojë sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur vlerësohet në 101 hektarë.
Bashkia Shkodër është në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe ka një tendencë tërheqjeje të ujit nga zonat me prani të tij.
/m.m/a.f/