Beci: Prokurorët e SPAK rrezikojnë karrierën pas mandatit, por në rast rikandidimi trupa tjetër demotivohet

Ish-prokurori Eugen Beci ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me të ardhmen e 11 prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, duke theksuar se mungesa e një zgjidhjeje ligjore për vijimësinë e tyre mund të ndikojë negativisht jo vetëm te vetë SPAK-u, por edhe te e gjithë struktura e sistemit të drejtësisë.
“Nëse këta prokurorë do të përfundojnë mandatin pa asnjë garanci për të ardhmen, atëherë çfarë ndodh me ta pas 9 vitesh? Nëse u thuhet se mund të rikandidojnë, atëherë krijohet padrejtësi, sepse të vetmit që kanë pasur akses në çështje madhore janë ata të SPAK. Prokurorët e rretheve, që merren me çështje të thjeshta, nuk kanë asnjë shans të konkurrojnë me ta,” deklaroi Beci gjatë një debati në emisionin “Trialog” në RTSH.
Sipas tij, kjo situatë krijon një terren të pabarabartë për garë, duke e bërë të pamundur që prokurorët e tjerë të kenë ambicie për të avancuar në karrierë.
“Nëse nuk ka kufizim mandati, ai që është brenda rri aty. Ai që është jashtë, pret të largohet tjetri që t’i hapet rruga. Kjo sjell demotivim total në trupën e prokurorëve. Ligjvënësi duhet të gjejë një zgjidhje të mesme, ndryshe karriera e gjithë trupës tjetër mbetet e pamundur,” shtoi Beci.
Shqetësimi u ngrit edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit te “Ligjet”, ku kërkoi që 11 prokurorëve të tjerë të jepet mundësia e rikandidimit, duke theksuar se zëvendësimi i tyre është praktikisht i pamundur në këtë fazë.
/rtsh.al/