E Hënë, 2 Nëntor 2026

Begaj: Trashëgimia jonë kulturore, pasqyrë e shpirtit dhe identitetit tonë kombëtar

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh për rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së kësaj pasurie kombëtare.

“Ta ruajmë e trashëgojmë me krenari, siç e ruajtën të parët tanë, dhe ta mbajmë gjithmonë gjallë, kudo që jemi”, shkroi Presidenti Begaj në Facebook.

Presidenti Begaj e shoqëroi këtë mesazh me një pjesë nga K’cimi i Tropojës, interpretuar nga nxënës shqiptarë të shkollës “Bijtë e Shqipes” në Nju-Jork, të cilin ai i vizitoi një ditë më parë.

“K’cimi i Tropojës” është një nga pasuritë e çmuara të Shqipërisë, i përfshirë së fundmi në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

“Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Trashëgimia jonë kulturore është pasqyrë e shpirtit dhe identitetit tonë kombëtar. Ta ruajmë e trashëgojmë me krenari, siç e ruajtën të parët tanë, dhe ta mbajmë gjithmonë gjallë, kudo që jemi”, theksoi Begaj në postim.

Krahas pasurive shqiptare që njihen e vlerësohen në kuadër të UNESCO-s, ka edhe një përkujtesë të përvitshme kushtuar trashëgimisë kulturore në rangun kombëtar. Çdo 29 shtator, vëmendja përqendrohet në dëshmitë e identitetit kulturor të Shqipërisë, të shfaqur në të tre dimensionet e tij: material, shpirtëror dhe natyror.

Si shtysë për shpalljen e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore ka shërbyer akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë arkeologjike të Apolonisë nga vjedhja e tyre prej ushtrive ndërluftuese gjatë Luftës së Parë Botërore. Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili pas shpalljes së pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës si oficer karriere.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›