Begaj në Ohër: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, bashkëpunim drejt integrimit europian

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë njëditore në Ohër, Maqedonia e Veriut, me ftesë të Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit bëri të ditur se gjatë takimit me Presidenten Siljanovska-Davkova është diskutuar për bashkëpunimin dypalësh, rajonal dhe për procesin e integrimit europian të dy vendeve.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë”, thekson Presidenti Begaj.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si “urë lidhëse, e rëndësishme dhe garanci për progresin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona”.
Presidenti Begaj shprehu bindjen se zhvillimi i projekteve të përbashkëta, jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe në fushat kulturore e sociale, është i arritshëm dhe i mirëpritur nga të dy vendet.
“Me forca të përbashkëta drejt progresit!”, përfundon mesazhin e tij Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj vizitë në Maqedoninë e Veriut 1 nga 4/a.f/