E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj përkujton Ismail Qemalin: Qëllimi i tij për Shqipëri evropiane të përbashkojë shqiptarët

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Presidenti Bajram Begaj nderoi sot themeluesin e shtetit shqiptar dhe prijësin e Pavarësisë, Ismail Qemalin në 182-vjetorin e lindjes.

Me këtë rast, Begaj bëri thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në finalizimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky objektiv përbën vijimësinë e natyrshme të vizionit shtetformues të Ismail Qemalit.

“Sot, në ditëlindjen e tij, nderojmë themeluesin e shtetit shqiptar, burrin vizionar që bëri realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri dhe pavarësi në trojet e të parëve”, u shpreh Begaj.

“Aspirata e Ismail Qemalit dhe e etërve themelues për një Shqipëri evropiane mbetet edhe sot e vetmja strategji kombëtare, i vetmi qëllim, realizimi i të cilit duhet të përbashkojë të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim”, përfundoi Presidenti.

Ismail Qemali ishte pasardhës i njërës prej familjeve më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Lindi në Vlorë, në vitin 1844, biri i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme Zosime në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht.

Vetëm 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll. Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889). Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmakamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.

Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanlı Ahrar Fırkası”. Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet Evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.

Në kryengritjen e Malësisë së Madhe (1911) shkoi në Çetinje të Malit të Zi, ku me iniciativën e tij u firmos edhe memorandumi me 12 pika i Kuvendit të Greçës. Me kryengritjen e vitit 1912 u arrit një autonomi e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, por fillimi i Luftës Ballkanike jo vetëm që e ndërpreu formimin e një strukture të tillë, por solli edhe pushtimin dhe copëtimin e trevave shqiptare.

Më 28 nëntor 1912 shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar dhe u nis bashkë me familjen për në Francë.

Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhia dhe më 12 shkurt u varros në oborrin e Teqesë në Kaninë, mbi Vlorë.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›