E Diel, 1 Nëntor 2026

Peleshi, homazhe në monumentin e Skënderbeut në Romë

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Në përmbyllje të vizitës së tij zyrtare në Itali, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi bëri homazhe në monumentin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, në sheshin “Albania”.

Homazhet sipas tij, janë akt nderimi dhe respekti ndaj figurës së prijësit të pavdekshëm shqiptar, simbol i lirisë, identitetit dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve.

“Roma dhe Europa e nderojnë dhe e mbajnë në mesin e vet kujtimin e prijësit të pavdekshëm shqiptar të luftërave për liri dhe identitet perëndimor”, vlerësoi kreu i Kuvendit.

“Duke u përulur me respekt para këtij monumenti, ne i përulemi historisë së lavdishme të një populli, i cili atëherë kur koha e vuri në sprovë, shkëlqeu me madhështinë e shembujve si ky i Skënderbeut tonë sa shqiptar aq edhe europian”, nënvizoi Peleshi.

Gjatë vizitës së tij në Itali, Peleshi u prit nga presidenti i Senatit të Republikës Italiane, Ignazio La Russa. Gjatë takimit u riafirmuan lidhjet e fuqishme historike dhe aktuale miqësore mes dy popujve, të cilat përbëjnë bazën e bashkëpunimit të sotëm mes parlamenteve, qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve.

Gjithashtu ai u takua edhe me presidentin e Dhomës së Deputetëve të parlamentit italian, Lorenzo Fontana.

“Takime domethënëse, bashkëpunim dhe rezultate konkrete. Nga Roma, me hapa të vendosur drejt forcimit të partneritetit strategjik Shqipëri-Itali, në shërbim të rrugëtimit tonë evropian dhe vlerave të përbashkëta”, theksoi Peleshi.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›