E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj pritet nga presidenti i Kirgistanit: Forcim i marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kirgistan, ku u prit nga presidenti Sadyr Zhaparov.

Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa Presidenti Begaj shprehu vullnetin e tij për të thelluar dialogun dhe për të ndërtuar një bashkëpunim më dinamik bazuar në respekt të ndërsjellë dhe interesa të përbashkëta.

Në takim u shpreh angazhimi për përshpejtimin e procedurave për mbylljen e marrëveshjeve në proces mes dy vendeve tona dhe forcimin e marrëdhënieve në fushat me interes të dy vendeve.

Presidenti i Republikës shprehu bindjen se kjo do t’i shërbejë forcimit të miqësisë e besimit mes dy popujve tanë.

“Dy vendet do të afrohen më shumë me njëri-tjetrin nëse i bëjne qytetarët e tyre të njohin më shumë njëri-tjetrin. Vendosja e linjës ajrore që lidh drejtpërdrejt Tiranën me Bishkekun do t’i shërbente shumë këtij qëllimi”, vlerësoi Presidenti Begaj.

Një shtysë e rëndësishme për avancimin e këtyre marrëdhënieve ishte dhe Deklarata e Përbashkët e nënshkruar nga Presidenti Begaj dhe homologu i tij Zhaparov.

Dy presidentët u shprehën pro mundësisë për të vijuar bashkëpunimin brenda organizatave ndërkombëtare.

Begaj i përcolli presidentit Zhaparov përgëzime për zgjedhjen e Kirgistanit si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB- së në mandatin që fillon më 1 janar 2027, duke shprehur bindjen se në këtë pozicion Kirgistani do të jetë i suksesshëm në mbrojtje të vlerave të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Begaj mori pjesë dhe përshëndeti Forumin Ndërkombëtar të Isyk-Kulit, të themeluar në vitin 1986 me nismën e shkrimtarit dhe filozofit kirgiz Chingiz Aitmatov, duke vlerësuar përpjekjen e tij për të krijuar një hapësirë dialogu intelektual mes Lindjes dhe Perëndimit dhe duke theksuar se fuqia e mendimit intelektual mbetet themelore për ndërtimin e mirëkuptimit, paqes dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen.

1 nga 6

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›