E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – Vance kritikon zyrtarët izraelitë për sulmet ndaj marrëveshjes SHBA-Iran

UASHINGTON, 18 qershor /ATSH-DPA/ – Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka kundërshtuar ashpër kritikat e disa anëtarëve të qeverisë izraelite ndaj marrëveshjes kornizë të arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump është “i vetmi udhëheqës shtetëror në botë që mbështet Izraelin në këtë moment”.

Vance tha se zyrtarët izraelitë duhet të shmangin sulmet ndaj aleatit të tyre më të fuqishëm, duke kujtuar se gjatë tre muajve të fundit dy të tretat e armëve mbrojtëse të përdorura nga Izraeli kundër sulmeve të grupit Hezbollah janë prodhuar dhe financuar nga SHBA-ja.

Sipas tij, kritikët në Izrael që e konsiderojnë presidentin Trump si problemin kryesor të vendit të tyre duhet të kuptojnë realitetin strategjik me të cilin përballet Izraeli. Megjithatë, Vance theksoi se, sipas dijenisë së tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e ka kundërshtuar publikisht marrëveshjen me Teheranin dhe se kritikat kanë ardhur kryesisht nga ministra të veçantë të kabinetit.

Zëvendëspresidenti amerikan hodhi poshtë gjithashtu raportimet mediatike se Netanyahu është i zemëruar me marrëveshjen dhe mendon se lufta duhej të vazhdonte, duke thënë se kjo nuk përputhet me bisedat që ai ka zhvilluar me liderin izraelit.

Marrëveshja kornizë SHBA-Iran përfshin edhe çështjen e Libanit, ku Izraeli vazhdon përleshjet me Hezbollahun.

Edhe pse as Izraeli dhe as Hezbollahu nuk janë palë në marrëveshje, Irani ka kërkuar tërheqjen e forcave izraelite nga jugu i Libanit.

Nga ana tjetër, Netanyahu ka deklaruar se trupat izraelite do të mbeten në zonë për të ruajtur një brez sigurie përgjatë kufirit. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›