Begaj vizitë në Shkup/ Presidenti: Bashkëpunimi me dy vendet, i rëndësishëm për afrimin me BE

Presidenti Bajram Begaj ndodhet në një vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku mbajti një konferencë për mediat me presidenten e RMV Siljanovska-Davkokva.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Shqipëria dhe RMV përballen me sfida të përbashkëta sigurie që vijnë nga zhvillimet gjeopolitike dhe kërcënimet hibride. Ai shtoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në promovimin e dialogut rajonal dhe se ky bashkëpunim ndihmon afrimin me BE-në, tregun e saj, inovacionin dhe axhendën e gjelbër.
Begaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimeve universitare dhe i drejtoi një ftesë zyrtare homologes së tij për të vizituar Shqipërinë.
“Shqipëria dhe RMV përballen me sfida të përbashkëta sigurie që burojnë nga zhvillimet gjeopolitike dhe kërcënimet hibride, të cilat e bëjnë edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin tonë për të arritur rezultate konkrete. Shqipëria mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në promovimin e dialogut mes dy vendeve tona dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për afrimin me BE-në, me tregun e saj, inovacionin dhe axhendën e gjelbër. Pjesë e delegacionit është edhe rektori i Universitetit të Tiranës; shkëmbimet universitare janë të rëndësishme për të krijuar dhe forcuar miqësinë mes studentëve, si dhe për të rritur kontaktet mes njerëzve. Kjo është një fushë e përshtatshme për të thelluar më tej bashkëpunimin.
Falënderoj Presidenten për kontributin e saj në thellimin e bashkëpunimit dhe sot i bëj ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë.”