Vrasja për gjakmarrje në Lushnje/ Gjykata dënon me 50 vite burg porositësin dhe atentatorin

Gjykata e Fierit dënoi këtë të premte me nga 25 vite burg secilin dy autorët e përfshirë në atentatin e mbetur në tentativë në mars të 2023-shit.
Laert Hasalla dhe Mariglen Matjani akuzohen për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Atentati u regjistrua në 30 mars të vitit 2023, ku Marius Hasallës iu organizua një atentat për gjakmarrje, por e plagosur mbeti vetëm halla e tij, Bajame Seneja e cila ndodhej në automjet.
Porositës i atentatit është Laert Hasalla, i cili e donte të vdekur Marius Hasallën pasi i ati i Mariusit, I ka vrarë vëllain, Romeon.
Gjithçka ka nisur për një konflikt toke prej 2 hektarësh që është kthyer mollë sherri mes dy familjeve Hasalla. Përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo dhe duke plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij.
Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla por më pas u la i lirë, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar krimin. Ai është dënuar me 35 vite burg.
/ abcnews.al /