Bëhet publik portreti i parë zyrtar i mbretit Charles që nga kurorëzimi tij

Pallati Mbretëror zbuloi të martën portretin e parë zyrtar të Mbretit Charles III që nga kurorëzimi i tij. Piktura është e artistit britanik Jonathan Yeo, i cili ka pikturuar subjekte të profilit të lartë gjatë karrierës së tij, duke përfshirë ish-kryeministrin britanik Tony Blair, aktoren Nicole Kidman dhe aktivisten e arsimit Malala Yousafzai.
Piktori Yeo, i cili e filloi projektin kur Charles ishte ende Princi i Uellsit, përshkruan monarkun të veshur me uniformën e Gardës Uellsiane, me shpatën në dorë, në një sfond të kuq të zjarrtë që duket se pothuajse e ka gëlltitur atë të tërë, ndërsa një flutur duket sikur është gati të ulet mbi supin e tij.
“Ashtu si flutura që kam pikturuar duke qëndruar pezull mbi supin e tij, ky portret ka evoluar ndërsa roli i subjektit në jetën tonë publike është transformuar”, tha Yeo në një deklaratë të lëshuar nga Buckingham Palace.
Yeo kishte katër takime me Mbretin, dhe gjithashtu punoi nga vizatime dhe fotografi sipas pallatit. Vepra u porosit për të festuar 50 – vjetorin e anëtarësimit të Charles në “The Drapers’ Company”, e cila financon iniciativat arsimore midis përpjekjeve të tjera filantropike dhe do të ekspozohet për publikun në Galerinë Philip Mold në Londër. Më vonë do të varet në Drapers’ Hall së bashku me portretet e tjera mbretërore.
/rtsh.al/