E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bëhu pjesë e ekipit që çon vendin në BE”, MEPJ kërkon 10 ekspertë për t’iu bashkuar skuadrës diplomatike në Bruksel

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), në kuadrin e zhvillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të integrimit të përshpejtuar, ka shpallur thirrjen e dytë për shprehjen e interesit nga profesionistë dhe ekspertë shqiptarë për të qenë pjesë e ekipit të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në Bruksel, Belgjikë.

Sipas njoftimit zyrtar, thirrja është e hapur për nëpunësit e Shërbimit të Jashtëm, ata të Administratës Publike, si dhe çdo qytetar shqiptar – profesionist, brenda dhe jashtë vendit, që plotëson kriteret e përcaktuara sipas pozicioneve të hapura për rekrutim.

Kjo thirrje mbështetet në Ligjin nr. 24/2026 “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” dhe synon të përfshijë ekspertizën më të mirë shqiptare në procesin e integrimit evropian.

MEPJ rikujton se vijon të jetë e hapur thirrja për 10 pozicionet e lira pranë Misionit të Republikës së Shqipërisë në BE, duke ftuar profesionistët shqiptarë të bëhen pjesë e skuadrës shqiptare në zemër të Bashkimit Evropian.

**Afati i aplikimit:** deri më **8 maj 2026**.

Pozicionet e lira 

**Dimensioni Politik (4 pozicione):**

– Zëvendës Shef Misioni, Ministër Fuqiplotë

– Këshilltar për marrëdhëniet me Këshillin & DG ENEST

– Këshilltar për marrëdhëniet me Parlamentin Evropian

– Këshilltar për Komunikimin

**Dimensioni Sektorial (6 pozicione):**

– Koordinator i Dimensionit Sektorial, me gradë Ministër Këshilltar

– Këshilltar për “Shtetin e së Drejtës”

– Këshilltar për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural

– Këshilltar për Energjinë dhe Industrinë

– Sekretar i Parë për Konvergjencën dhe Zhvillimet Makroekonomike

– Sekretar i Parë për Mjedisin dhe Çështjet Sociale

Për më shumë informacion mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›